Ndeshja e fundit e fazës së tretë ndaj Kastrioti, ka sjellë ji pak lëvizje në klubin e Kukësit ku vetëm pak minuta pasi përfundoi ndeshja, u shkarkua trajneri Ramadan Ndreu i cili u fajësua për humbjen që skuadra pësoi. Sakaq, nuk u desh shumë kohë që klubi të emëronte trajnerin e ri dhe ishte pikërisht Ernest Gjoka, ai që shpalli Kukësin kampion para dy sezonesh.
Kjo lëvizje në staf, duket se nuk u ka pëlqyer aspak tifozëve të Kukësit dhe më shumë se për emërimin, ata janë irrituar për mënyrën se si funksionojnë gjërat. Në komentet e tyre në ‘Facebook’, nuk kanë munguar as ironitë kundrejt klubit, duke qenë të bindur se edhe Gjoka do të shkarkohet pas pak ditësh.
Sakaq, aq sa janë të bindur për shkarkimin e Gjokës, tifozët besojnë se sërish do të jetë Armando Cungu trajneri i ri i Kukësit, ndërkohë që i kujtojnë presidentit Gjici edhe deklaratën e dhënë pak ditë më parë, kur u shpreh se Gjoka është si lopa që përmbys kovën me qumësht. /VipSport/