Ditët e fundit është përfolur për një mundësi largimi nga Vllaznia, por duket se situata ka ndryshuar për sulmuesin moldav Eugeniu Sidorenco.

Ish- sulmuesi i kombëtares së këtij vendi ka kaluar një periudhë jo të mirë kohët e fundit si rrjedhojë e një dëmtimi dhe prandaj drejtuesit kanë menduar që të ulen dhe të bisedojnë për të parë mundësinë e ndërprerjes së kontratës.

Por vetë lojtari ka shprehur dëshirën ta çojë kontratën e tij me Vllazninë deri në fund, pra deri në dhjetor të këtij viti dhe për më tepër, tashmë edhe dëmtimin mesa duket e ka lënë pas.

Këtë e tregon fakti që Sidorenco pasditen e së dielës ka qenë i pranishëm në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe është rreshtuar bashkë me 10 futbollistët e tjerë të Vllaznisë por edhe ato të Tiranës, për të deklaruar protestën edhe të javës së tretë të kampionatit.

Kjo do të thotë se Sidorenco tashmë ka nisur stërvitjen me ekipin dhe është në dispozicion të trajnerit Brdariç. Gjatë sezonit të kaluar në fakt, sulmuesi moldav ka treguar se ka cilësi të mira dhe për këtë arsye, mund të vlejë edhe për Vllazninë e këtij sezoni./SHKODRA-SPORT.COM/