Viti i Erdis Krajës dhe Masimiliano Dodës nuk mund të mbyllej më mirë se kaq. Të dy futbollistët e talentuar shqiptarë e kanë parë veten gjatë 2019 të kalojnë nga akademitë përkatëse te ekipi i parë i një klubi me emër si Palermo, i cili ndonëse gjendet në Serinë D, po kërkon që të kthehet te lavdia e dikurshme.

Si mesfushori Kraja, ashtu edhe mbrojtësi Doda, kanë tejkaluar pritshmërinë dhe tani vlerësohen ndër lojtarët më të mirë të Serisë D, kurse pak nga pak po bindin se kanë një të ardhme edhe në futbollin më të rëndësishëm italian.

Ndaj nuk është aspak çudi që me mbylljen e këtij viti, në notat që “Gazzetta Dello Sport” ka ndarë për skuadrën e Palermos, ata janë ndër futbollistët më të vlerësuar.

E përditshmja sportive italiane i ka vënë notën 7,5 Krajës për pjesën e parë të sezonit që ka bërë në radhët e klubit sicilian, duke e ndihmuar që për momentin të mbajë vendin  parë në grup duke synuar ngjitjen.

Një gjysmë note me pak, “vetëm” 7 për Dodën, i cili gjithashtu mbetet mes atyre që meritojnë më shumë elozhe në radhët e kësaj skuadre e cila ka thyer rekorde të njëpasnjëshme këtë vit pasi ka mbushur stadiumin disa herë me më shumë se 20 mijë tifozë të pranishëm në ndeshjet e saj. /vipsport/