Miqësorja e luajtur dy ditë më parë në mes Austrisë dhe Gjermanisë ka marrë vëmendjen e duhur jo vetëm për humbjen e gjermanëve por edhe për një fakt tjetër që ka bërë jo pak jehonë në vendin tonë.
Arsyeja është e thjeshtë: Gjatë momentit të këndimit të himneve, një nga fëmijët që ka shoqëruar kombëtaren gjermane, ka bërë shenjën e shqiponjës.
Por ajo çka e bën edhe më interesante këtë gjë është fakti se ky fëmijë është shkodran.
Madje jo vetëm ai. Edhe ai në të djathtë është shkodran dhe ajo çka e bën edhe më kuptimplote këtë gjë është fakti se ata të dy janë vëllezër.
Bëhet fjalë për Flavion dhe Laurentin, djemtë e fotografit të njohur shkodran që jeton në Austri, Fatlum Kurtaj.
Pas tyre janë lojtarët e kombëtares gjermane Khedira dhe Sane dhe natyrisht që dy djemtë shkodranë do ta mbajnë gjatë në mendje këtë ditë dhe këtë ndeshje.
Po kush janë këta djem? Ata të dy luajnë futboll me ekipet U-11 dhe U-9 të SV Donau Klagenfurt dhe fakti që ndeshja Austri- Gjermani luhej në qytetin e tyre, ka bërë që ata të përzgjidhen si pjesë e grupit të fëmijëve që do të shoqëronin daljen e futbollistëve të të dy ekipeve në fushën e lojës.
Dhe të qënurit shqiptar dashje pa dashje ka ndikuar në prezantimin e tyre edhe në këtë rast teksa Flavio ka bërë edhe shenjën e shqiponjës.
Por ky nuk ka qenë një veprim i rastësishëm i tij. Ai ka qenë prezent në shumë ndeshje të kombëtares së Shqipërisë dhe është një tifoz i zjarrtë i skuadrës kuqezi.
Fotot e ketij shkrimi jane te fotografit te mirenjohur Fatlum Kurtaj.
© shkodrasport.com