Ish-presidenti i Juventusit, Xhovani Kobolli Gigli ka sulmuar yllin portugez, Kristiano Ronaldo në lidhje me largimin e tij drejt Portugalisë pas shpërthimit të koronavirusit.
Gigli e kritikon ashpër Ronaldon, duke përmendur se shkoi atje për të vizituar nënën e tij të sëmurë, por u pa duke marrë rreze dielli.
“Nuk e di përse disa lojtarë të Juventusit ikën nga Italia. Do të jetë i vështirë rifillimi kur të kthehen këta lojtarë, sepse duhet të rrinë 14 ditë të izoluar. Gjërat u ndërlikuan kur Ronaldo u largua, duke qenë se ai ishte i pari që iku me shkakun e nënës së tij, por më pas u pa duke bërë banjo dielli.
Edhe Higuaini duhet të shkonte te nëna tij, dikush tjetër kishte një tjetër arsye për t’u larguar, e kështu me radhë. Ata duhet të ishin karantinuar në hotelin e Juventusit, ashtu siç bënë lojtarët e Interit,” theksoi Gigli.