Shahisti i talentuar shkodran Franc Ashiku është nderuar nga Federata Europiane e Shahut me titullin e lartë “Mjeshtër Ndërkombëtar” në shah. Ky është një nga titujt më të lartë që jep kjo Federatë dhe në Shqipëri atë e kanë patur deri tani vetëm dy emra të mëdhenj të këtij sporti si Fatos Muço dhe Ilir Seitaj. I treti do jetë 19 vjeçari Franc Ashiku. Ka ndodhur kështu pas rezultateve të arritura nga ky sport në turneun e zhvilluar së fundi në Trieste të Italisë të emërtuar Festivali Ndërkombëtar i Shahut. Në këtë aktivitet, Ashiku ka arritur të bëjë një paraqitje të mirë teksa nga 9 ndeshjet e zhvilluara, 5 i ka fituar dhe 4 i ka humbur. Ai ka arritur të fitojë ndaj emrave të njohur të këtij sporti dhe pikërisht këto fitore i kanë dhënë më pas atij vlerësimin e lartë. Përveç Ashikut, në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe një tjetër shkodran, veterani i këtij sporti Aleks Çapaliku që jeton në Itali por ka garuar për Shqipërinë. Në këtë mënyrë, me vlerësimin që ka marrë Franc Ashiku, ai bëhet kësisoj një nga krenaritë e klubit Vllaznia.
www.shkodrasport.com