Shahisti i talentuar shkodran Franc Ashiku ka zënë vendin e dytë dhe është shpallur nënkampion i Shqipërisë në garat e kampionatit kombëtar individual të zhvilluar ditët e fundit dhe në të cilin kanë marrë pjesë shahistët më të mirë të vendit. Rivaliteti ka qenë i madh megjithatë Ashiku ia ka dalë me sukses të lërë pas disa emra të njohur të këtij sporti si Aleksander Paci, Shkëlqim Çela, Eglantina Shabanaj, Lorenc Rama, Rozana Gjergji etj.
Shahisti i Vllaznia ka arritur të grumbullojë 7 pikë nga 9 të mundshmet dhe para tij ka qenë vetëm Dritan Mehmeti me një gjysëm pike më shumë dhe për rrjedhojë, ai është shpallur kampion.Me këtë sukses, Franc Ashiku ka fituar të drejtën që të jetë pjesë e kombëtares shqiptare që do të marrë pjesë në Olimpiadën Botërore të shahut që do të zhvillohet në datat 1-14 gusht në Tromso të Norvegjisë. Suksesi në këtë kampionat është një hap i sigurtë për të tjerë në të ardhmen dhe me siguri që Ashiku ka për të qenë shumë shpejt lider në shahun shqiptar.
Gjergj KOLA