Pasi shkëlqeu në kampionatin slloven me fanellën e Aluminjit, mesfushori Françesko Tahiraj hodhi një tjetër hap të madh në karrierë duke firmosur me Hajdukun e Splitit në Kroaci, aty ku bëjnë pjesë edhe Ardian Ismajli dhe Emir Sahiti. Me kalimin te Hajduku, Tahiraj synon që të arrijë më lart dhe të realizojë ëndrrën e fëmijërisë: Të përfaqësojë fanellën kuqezi.
Në një intervistë për ‘VipSport.al’, mesfushori Tahiraj ka rrëfyer momentet e para të kalimit në Kroaci, duke pranuar se ka pasur vështirësitë e veta por megjithatë, ai është i bindur se me ndihmën që i është dhënë, gjithçka do të jetë më e lehtë. I pyetur për një interesim nga Sllovenia, Tahiraj duket se i ka idetë e qarta për të ardhmen.
Françesko, si t’u duken ditët e para në Kroaci?
Nuk kam pasur ende fatin ta shijoj Kroacinë, përveç se vetëm ditën kur firmosa kontratën sepse jam nisur direkt të nesërmen për në Turqi ku po zhvillojmë fazën përgatitore. Por, ndihem shumë i lumtur dhe i kënaqur pasi si shokët, ashtu edhe stafi më kanë pritur shumë mirë këto ditët e para.
A ke parë ndryshime në krahasim me Slloveninë?
Janë disa ndryshime midis Sllovenisë dhe Kroacisë por jo edhe aq të larta. Normalisht që Kroacia është një nivel më i lartë.
E ke të vështirë ambientimin?
Ambientimi është i vetmi “shqetësim” që kam sepse jo vetëm për mua por për këdo që ndërron ekip dhe shtet nuk është e lehtë. Por, stafi po më ndihmon shumë në këtë anë dhe unë gjithashtu po jap maksimumin tim që të jem sa më shpejtë i gatshëm.
Sa të ndihmon prania e shqiptarëve në skuadër?
Ata më kanë pritur shumë mirë duke më folur për rëndësinë e klubit ku kam ardhur dhe për ekipin. Kanë qenë shumë të rëndësishëm për ambientimin tim në grup.
Me cilin je me i afërt?
Dihet që në ditët e para kam qenë i afërt me Ismajlin dhe Sahitin, por tashmë jam afruar me të gjithë.
Mendon se ky ishte hapi i duhur për Kombëtaren?
Besoj se po. Është një hap ku mund të më japë mundësinë ta kap atë ëndrrën e madhe të fëmijërisë.
A ka pasur ndonjëherë tentativa nga Sllovenia apo vende të tjera për ty?
Në Slloveni flitej që unë mund të isha një alternativë interesante për vendin e tyre pasi kisha 3 vjet që luaja atje. Por, dëshira ime është e vetme dhe tashmë dihet që është Shqipëria.
Do zhgënjeheshe nëse mungon ftesa edhe në mars?
Profesor Panuçi dhe zoti Armando Duka i duan të mirën Kombëtares, e duan atë sa më lart kështu që çdo zgjedhje të tyre, unë do ta pranoj me sportivitet. Normalisht, nga ana tjetër e pres shumë këtë telefonatë pasi besoj se e meritoj. /Erjon Allaraj-VipSport.al/