Golat e Esmeralda Franjes dhe Megi Doçit në pjesën e parë, i kanë mjaftuar Vllaznisë së femrave të sigurojë fitoren e rradhës, këtë herë ndaj Teutës së Durrësit.

Në pamje të parë rezultati 2-0 me të cilin është mbyllur kjo ndeshje duket disi intrigues sepse jemi mësuar që ekipin shkodran ta shohë të dominojë në shifra të thella ndaj kundërshtarëve, por këtë herë ka ndodhur ndryshe.

Disa prej vajzave të ekipit kanë qenë të lodhura edhe nga udhëtimi i gjatë që kanë bërë me kombëtaren në Bosnjë, prej ku janë kthyer vetëm të premten pasdite dhe për rrjedhojë janë lënë pushim nga ana e stafit teknik.

Po ashtu, trajneri Leka ka aktivizuar në këtë takim edhe disa vajza 13-14 vjeçare të cilat premtojnë shumë dhe padyshim ka qenë mundësia më e mirë për t’i parë në fushën e lojës.

Me fitoren e djeshme Vllaznia është ngjitur në kuotën e 42 pikëve duke qenë sërish gjashtë pikë larg Tirana AS dhe Kinostudios, ekipe këto që ndajnë vendin e dytë dhe të tretë të renditjes.

Kur kanë mbetur edhe gjashtë javë kampionat për t’u luajtur, ekipi shkodran duket qartë se po ecën i sigurtë drejt titullit të gjashtë kampion rradhazi.
© shkodrasport.com