Trajneri I Holandës, Frank De Bur, i ka çuditur të gjithë këtë javë në një konferencë për shtyp, teksa po fliste për talentin e Tuente, Kuinsi Menig, si dhe Europianin që fillon së shpejti.

Në fjalët e tij para mediave ai po shpjegonte se si lojtari 25-vjeçar mund të përshtatej në krahun e djathtë të ekipit që drejton gjatë këtij Europiani.

Problemi i vetëm në fakt është se De Bur ka bërë përzgjedhjen e tij të lojtarëve dhe Menig nuk është nga ata që do të ketë me vete për turneun në fjalë. Kjo bëri që në konferencë për shtyp të kishte disa momente heshtje edhe nga gazetarët të cilët mbetën të çuditur nga fjalët e teknikut.

Ai ishte pyetur se pse nuk kishte marrë një mesfushor krahu të mirëfilltë në të djathtë as me një listë të zgjeruar në 26 emra që ia jepte plotësisht një mundësi të tillë.

Ndoshta ai dëshironte të përgjigjej se kishte në skuadër Kuinsi Promes, por në fakt u përgjigj me emrin e Kuinsi Menig, me pamjet e konferencës për shtyp që u bënë menjëherë hit në rrjetet sociale mes tifozëve.

Këta të fundit që në fillim kanë qenë të pakënaqur me zgjedhjen që ka bërë Federata për të zëvendësuar Kuman i cili braktisi ekipin kombëtar për të shkuar te Barcelona dhe tashmë në komentet e tyre në rrjet shprehnin bindjen se ai ishte trajneri më i papërshtatshëm meqë nuk njihte as lojtarët që kishte grumbulluar. /vipsport.al/