Legjenda e Chelseat, Frank Lampard, po konsiderohet si njëri prej kandidatëve kryesorë për të marrë drejtimin e Romës, teksa presioni mbi supet e Ivan Juric po vazhdon të rritet. Kroati Juric mori drejtimin e ‘Giallorossëve’ në muajin shtator, por shumë pikëpyetje janë ngritur për të ardhmen e tij pas vetëm 10 ndeshjeve.

Ai ka fituar vetëm katër nga këto takime teksa humbjen e katërt e pësoi mbrëmë (e diel) ndaj Hellas Veronës në udhëtim. Pronarët e Romës thuhet se tashmë po vlerësojnë disa alternativa të mundshme për zëvendësimin e Juric, me Friedkins që thuhet se kanë bërë disa vizita në Londër dhe në Paris.

Sipas Gazzetta dello Sport, ish-ylli i Juventusit dhe Interit, Paulo Sousa, i cili më herët ka udhëhequr ekipe si Fiorentina dhe Salernitana, është favoriti kryesori për të marrë drejtimin e Romës.

Ish-përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini është po ashtu në mesin e emrave të përmendur, së bashku me Claudio Ranierin. Gazzetta tuttje shton se Lampard është një tjetër opsion që po konsiderohet, përkundër rekordit të tij tek Chelsea dhe Everton.

Friedkins momentalisht janë në proces të kompletimit të blerjes së aksioneve të Evertonit dhe në ditët në vazhdim pritet të ketë një përgjigje definitive sa i përket të ardhmes së Juric dhe trajnerit të ardhshëm./Telegrafi/