I mrekullueshëm dhe fantastik. I tillë është shfaqur sërish atleti shkodran Franko Burraj.
Pas rekordit të thyer ditën e djeshme, e ka përsëritur sërish të njëjtën gjë dhe mbrëmjen e sotme na ka dhuruar një tjetër rekord.
Në finalen e garës së 400 metrave të Lojërave Mesdhetare “Tarragona 2018” ai ka dhuruar kohën 46″58 duke thyer me 13 të qindtat rekordin e vendosur dje në garat gjysëmfinale.
Me këtë kohë ai është renditur në vendin e gjashtë megjithatë e rëndësishme është që Burraj tashmë është një rekordmen i cili pritet ta thotë fjalën e tij me plot gojën në atletikën shqiptare.
Trajneri i tij Bruno Rrotani përmes një statusi në facebook ka falenderuar të gjithë ata të cilët i kanë dhënë suport sportistit të tij.
“Një superpërshëndetje nga ne me një rekord të ri kombëtar nga Franko Burraj me rezultatin fantastik 46:58. Falenderojmë Klubin Vllaznia me ne krye z.Mark Krroqi dhe FSHA me Z.Nikolin Dionisi dhe Z.Gjergj Ruli per suportin gjate ketij rrugetimi. Me ken Shkodran tana i ban”- shkruan Rrotani.
Dhe vërtetë kështu është. Franko Burraj ndoshta ka ardhur rastësisht në këtë sport vetëm një vit e gjysëm më parë por tashmë gradualisht po shndërrohet në një fenomen të atletikës shqiptar.
Ju kujtojmë që ende nuk i ka mbushur 20 vjeç dhe brenda dy ditësh ka thyer dy herë rekordin e 400 metrave.
Në plan padyshim që ka edhe rekordin e 200 metrave dhe shumë gjëra të tjera.
E rëndësishme është që ky sportist të mbështetet ashtu si duhet nga strukturat që kanë diçka në dorë në këtë drejtim sepse kemi të bëjmë me një talent të padiskutueshëm.
Gjergj KOLA