Brenda dy vitesh ka bërë gjithçka si duhet. Ka vendosur rekorde të reja kombëtare në garat e 200 dhe 400 metra, duke thyer të vjetrit që kishin mbi 20 vite të vendosura. Mori dje medalje të artë në Europianin e shteteve të vogla në mes sportistëve pjesmarrës nga 15 vende.
U rendit në vendin e pestë në Europianin U23 që u zhvillua në Suedi muajin e kaluar dhe po ashtu, ka edhe disa rezultate të tjera të larta të arritura në Lojërat Mesdhetare dhe aktvitete të tjera ku ka marrë pjesë.
Bëhet fjalë për atletin e Vllaznisë Franko Burraj i cili bashkë me Izmir Smajlajn dhe Luiza Gegën janë aktualisht sportistët më të mirë të vendit, të cilët po nderojnë Shqipërinë edhe në aktivitetet ndërkombëtare.
Por ajo që të bën përshtypje është se Burraj aktualisht nuk ka asnjë mbështetje nga sponsorë apo donatorë të ndryshëm. Një sportist i nivelit të lartë padyshim që duhet të ketë pranë edhe njerëz apo biznese të ndryshme sepse duhet një trajtim ndryshe për të.
21 vjeçari shkodran aktualisht mbështetet maksimalisht nga Sportklub Vllaznia, brenda mundësive ligjore që i lejohen dhe për fat, prej disa kohësh edhe KOKSH i ka akorduar gjysëm burse olimpike.
Megjithatë nuk mjaftojnë. Bashkë me trajnerin Bruno Rrotani sakrifikojnë jo pak çdo ditë duke u stërvitur deri 5-6 orë përveç kësaj, i duhet të marrë pjesë rregullisht edhe në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare që zhvillohen sepse vetëm aty mund të vendosë sërish rekorde të reja dhe të marrë edhe medalje për Shqipërinë.
Franko Burraj e ka talentin që i duhet për të qenë një sportist elite. Po ashtu edhe pasionin dhe përkushtimin për t’u stërvitur rregullisht. Atij i mungon vetëm një…sponsor.
www.shkodrasport.com