Prokurorët zviceranë ngritën të martën ndaj ish-anëtarëve të Federatës Gjermane të Futbollit (DFB) dhe një ish-zyrtari të FIFA-s akuzën për mashtrim në lidhje me qëllimin e vërtetë të një pagese prej 6.7 milionë eurosh para Kupës së Botës “Gjermani 2006”.

Ish-presidenti i DFB-së, Theo Zwanziger, sekretari i përgjithshëm, Horst R. Schmidt, dhe ish-sekretari i përgjithshëm zviceran i FIFA-s, Urs Linsi, akuzohen bashkërisht për mashtrim, ndërsa Wolfgang Niersbach, pasardhësi i Zwanziger si president i DFB, akuzohet se është bashkëpunëtor në mashtrim.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm Zviceran tha se procedurat kundër Franz Beckenbauer, i cili drejtoi Komitetin Organizativ të Kupës së Botës 2006, do të zhvillohen veçmas, sepse ai, aktualisht, është “i paaftë për arsye shëndetësore për të marrë pjesë ose për t’u marrë në pyetje në seancën kryesore në Gjykatën Federale Penale” .

Beckenbauer, Zëanziger, Schmidt dhe Niersbach përbënin Komitetin Organizator të Kupës së Botës 2006, ndërsa Linsi ishte partneri i tyre kryesor i kontaktit në FIFA.

Zëanziger dhe Niersbach kanë reaguar ndaj njoftimit.

“Unë as nuk po mendoj për këtë proces, sepse nuk ka asnjë lidhje me ligjin,” – i tha Zwanziger agjencisë së lajmeve DPA.

“Akuzat janë plotësisht të pabazuara,” – reagoi edhe Niersbach.

Pagesa që iu bë FIFA-s nga Komiteti Organizator i Kupës së Botës, në prill 2005, u deklarua në mënyrë të rreme si shpenzim për mbrëmjen gala të hapjes së Kupës së Botës.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm zviceran tha që paratë u përdorën për të shlyer një kredi personale prej 10 milionë frangash zvicerane (ekuivalente me 6.7 milionë euro), që Beckenbauer kishte marrë në vitin 2002 nga shefi i atëhershëm i ADIDA-s, Robert Louis-Dreyfus.

Këto para u kanalizuan përmes një firme ligjore zvicerane në një kompani që i përkiste Mohamed Bin Hammam, asokohe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s.

Beckenbauer tha që Bin Hammam kërkoi para në këmbim të një granti shumë më të madh (250 milionë franga zvicerane) nga FIFA për Komitetin Organizativ të Kupës së Botës.

Autoritetet e Katarit nuk u përgjigjen pyetjes rreth qëllimit të pagesës së kryer nga Beckenbauer, i cili pranoi të merrte një kredi personale, sepse BFB nuk dëshironte të siguronte fondet.

Në prill 2005, borxhi u ripagua përmes një llogarie të DFB-së, kur Komiteti Organizativ i Kupës së Botës transferoi paratë në FIFA, e cila në të njëjtën ditë i transferoi ato si një pagesë të thjeshtë në një llogari zvicerane të mbajtur nga Louis-Dreyfus, i cili vdiq në korrik 2009.