Gjashtë prej futbollistëve të Kombëtares shqiptare të futbollit ishin të ftuarit e radhës në podcast-in “Flasim” të kryeministrit Edi Rama.

I pranishëm mes tyre ishte edhe Frederik Veseli, i cili i është kthyer periudhës së listës së zgjedhur nga Xhani De Biazi për Euro 2016. Berat Gjimshiti nuk u përfshi në listë, edhe pse mori pjesë në ndeshjet kualifikuese, ndërsa Veseli ishte pjesë e Euro 2016, pavarësisht faktit se nuk luajti me Kombëtaren në ndeshjet kualifikuese.

Mbrojtësi shqiptar ka thënë se ndihet keq sa herë hapet një bisedë e tillë dhe se e ndjente nevojën ta thoshte diçka të tillë përpara Berat Gjimshitit.

“Unë isha në Europian, por nuk bëra kualifikime. I bëri të gjitha Berati dhe ia mora vendin unë. Më seleksionoi mua trajneri. Doja ta thoja edhe para Beratit (Gjimshitit), sepse çdo herë kur vjen kjo bisedë duket sikur ka një elefant në dhomë për mua. Por fakt është që futbolli ka tendenca dhe ndryshon shumë.

Duhet të shkojmë në Europian të tregojmë që jemi të fortë si skuadër dhe si popull. Mbaj mend në Francë, të gjithë shokët e mi ma kanë lavdëruar tifozerinë e shqiptarëve. Besoj se në Gjermani do të jenë shumë.

Puna jonë është që të jemi si pasqyrë, tifon e shqiptarëve t’jua kthejmë me performanca të mira. Edhe pas Europianit, të shkojmë përpara dhe të mos kthehemi mbrapa”, ka thënë Frederik Veseli./Sport Ekspres/