Përvjetori i 37-të i lindjes së Aleksander Lazrit, ish-çiklistit të Vllaznisë të ndarë nga jeta në mënyrë aksidendentale pak muaj më parë, ka mbledhur sot në Shkodër drejtuesit e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, drejtues të Sportklub Vllaznia, veteranë të këtij sporti, pjestarët e ekipit aktual të Vllaznisë, familjarë e miq të tij. Në një ceremoni të thjeshtë dhe kuptimplote, presidenti i Federatës së Çiklizmit Skënder Anxhaku ka vlerësuar këtë çiklist të mirë por edhe njeri të shkëlqyer dhe jo më kot, i ka dorëzuar djalit të tij të vogël një Mirënjohje në shenjë respekti për kontributin e dhënë në këtë sport.
Edhe Sportklub Vllaznia përmes drejtorit Mark Kroqi ka vlerësuar kontributin e Aleksit jo vetëm si sportist por edhe si mbështetës dhe kontribues për ekipin aktual të Vllaznisë.Përmes lotëve dhe emocioneve, babai i Aleksit- Zefi, ka falenderuar organizatorët e kësaj ceremonie duke u thënë se do u jetë përjetë mirënjohës.Aleksander Lazri ka qenë për disa vite çiklist i Vllaznisë madje duke u shpallur edhe kampion me të por më pas, ka marrë rrugën e emigrimit, pikërisht në Itali. Por ndonëse atje, mendjen e kishte gjithnjë tek çiklizmi duke kontribuar me bazë materiale për ekipin shkodran dhe madje, në qershor të këtij viti, kishte ardhur enkas nga shteti fqinj për të ndjekur Rrethin Çiklistik por në një nga pauzat e tij, ka pësuar një aksident tragjik që i mori edhe jetën. Megjithatë, me nderimet dhe respektet që iu bënë sot por do t’i bëhen edhe në të ardhmen, ai do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve.
© shkodrasport.com