Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur përgatitjet për ndeshjen finale të kupës së Shqipërisë në mes Vllaznisë dhe Laçit dhe mësohet se nga sot do të nisë në Tiranë shitja e biletave të saj.

Nga ana tjetër, me ndërhyrjen edhe të klubit Vllaznia, bëhet e ditur se biletat për tifozët kuqeblu do të shiten duke filluar që nesër në sportelet pranë stadiumit “Loro Boriçi”, të cilët do të qëndrojnë të hapur deri ditën e ndeshjes.

Ajo që vlen për t’u përmendur është çmimi disi “i kripur” i biletave për këtë ndeshje. Kështu, një biletë në tribunën VIP do të kushtojë 30 mijë lekë të vjetra, ndërsa në tribunën përkarshi bileta do të kushtojë 10 mijë lekë të vjetra.

Sakaq, çmimet e biletave në tribunat pas porte do të kushtojnë 5 mijë lekë. Po ashtu, mësohet se për tifozët e Vllaznisë është caktuar tribuna N, e njëjta me atë të vjetshmen në finalen ndaj Skënderbeut.

Mbase edhe kjo mund të jetë një rastësi e bukur në mënyrë që në fund të kësaj finaleje, Vllaznia të festojë bashkë me tifozët e saj trofeun e Kupës së Shqipërisë edhe për këtë sezon./SHKODRA-SPORT.COM/