Stadiumi “Loro Boriçi” do të presë javën e ardhshme dy ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare, pikërisht më 6 tetor ajo Kosovë- Kroaci dhe tre ditë më vonë ajo Shqipëri- Spanjë. Sigurisht që interesimi për këto ndeshje është i madh edhe në Shkodër dhe çdo ditë sportdashësit shprehin pakënaqësinë e tyre që nuk do munden të jenë të pranishëm në këto dy ndeshje. Ka ditë që thuhet se një numër i caktuar biletash do të dalin në shitje por kjo nuk ka ndodhur.
Natyrisht që është mëkat kjo gjë megjithatë kështu po ndodh. Federata Shqiptare e Futbollit ka zgjedhur shitjen online të biletave për ndeshjen me Spanjën dhe thuhet se nuk ka më në shitje dhe prandaj shpresat për ndonjë numër të vogël biletash për shitje të lirë në Shkodër, janë shumë të pakta. Ndërsa Federata e Kosovës ka caktuar disa pika shitje në qytete të ndryshme të këtij vendi por nuk ka menduar fare për Shkodrën. Duket disi e habitshme megjithatë ky është realiteti. Ndoshta Federatat përkatëse kanë probleme me mënyrën e menaxhimit dhe shitjes së biletave por ndoshta ky është një realitet i ri me të cilin edhe shkodranët duhet të mësohen. Pavarësisht se do t’i presin në qytetin e tyre këto takime të rëndësishme, me shumë të ngjarë, ndeshjet do t’i shohin ose nga shtëpitë e tyre ose nga kafenetë e qytetit.
© shkodrasport.com