FSHF e ka bërë praktikë prej disa vitesh të mbajë të fshehtë “për të mos cenuar garën” licencimin apo jo të klubeve në aktivitetet ndërkombëtare në mbyllje të edicionit. Një vendim i pakuptimtë, duke pasur parasysh se në vende të tjera bëhet publik një vendim i tillë. Kurse FSHF e shmang një gjë e tillë për të evituar publikimin e emrave të atyre që kanë probleme me dokumentacionin, që kryesisht u përket borxheve që kanë klubet.

Një pengesë të tillë e ka kapërcyer më në fund Vllaznia, e cila sot ka marrë përgjigje zyrtare nga FSHF sa i përket licencimit për Kupat e Europës në edicionin 2021-2022 nëse e arrin një gjë të tillë sportivisht. FSHF i ka bërë të ditur klubit të Vllaznisë se është licencuar për garat europiane pas akordit që ka gjetur me Tatimet për të shlyer një pjesë të borxhit. Diçka që u arrit me ndërhyrjen e sponsorit Alban Xhaferi dhe të FSHF-së, që ka bërë një pjesë të pagesës për shkodranët që do e kthejnë në një periudhë të mëvonshme.

Kështu, teksa FSHF ruan “sekretin shtetëror” sa i përket licencimit, për këtë sezon është zgjidhur dilema e vetme që ishte përsa i përket pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare pasi Vllaznia ishte e vetmja në dyshim se nuk plotësonte kushtet e domosdoshme të vendosura nga UEFA.

“Sekreti” është zbuluar nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e cila nuk ka respektuar udhëzimin e FSHF që të mos bëhet publik vendimi, duke postuar në rrjetet sociale lajmin për licencimin e klubit. /vipsport/