Ilir Alliu, ish-futbollisti e Tiranës dhe disa ekipeve të tjera të Superiores, njëkohësisht edhe pjesë e Kombëtares, është vlerësuar nga FSHF me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar”. Alliu ka reaguar pas këtij titulli të dhënë duke e quajtur si një prej momenteve më të bukura të jetës së tij, ndërsa nuk e fsheh krenarinë që mbart nga ky vlerësim.

“Sot është një nga ato momente të veçanta në jetë, kur ndjej krenari, mirënjohje dhe emocion të jashtëzakonshëm. Të vlerësohesh me titullin “Legjenda e Futbollit Shqiptar” është një nder i madh dhe një motivim i jashtëzakonshëm për gjithçka që kam dhënë dhe përfaqësuar në fushën e blertë.

Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që kanë besuar tek unë, që më kanë mbështetur dhe më kanë vlerësuar gjatë gjithë karrierës sime. Ky çmim nuk është vetëm i imi, por i të gjithë atyre që më kanë frymëzuar, më kanë qëndruar pranë dhe kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.

Një falënderim i veçantë shkon për Federatën Shqiptare të Futbollit dhe Presidentin Armand Duka, të cilët me këtë vlerësim më kanë dhuruar një nga momentet më të bukura të jetës sime. Mbështetja dhe përkushtimi juaj për futbollin shqiptar është një shtysë për çdo brez që vjen.

Faleminderit të gjithëve! Ky nuk është vetëm një çmim që më përket mua, por edhe gjithë tifozëve, bashkë lojtarëve dhe njerëzve që e duan futbollin shqiptar. Respekt dhe mirënjohje gjithmonë”, shkruan Alliu. /Sport Ekspres/