Pas seleksionimeve të bëra në Greqi, stafi teknik i ekipeve kombëtare të Federatës Shqiptare të Futbollit do të udhëtojë këto ditë edhe drejt Italisë për të bërë të njëjtën gjë edhe atje. Nga sa bëhet e ditur, seleksionimet do të jenë më datë 18 dhjetor në Romë.
Kjo mësohet nga ftesa që FSHF i ka kërkuar klubit “VIS Pesaro” për të lënë të lirë portierin e saj, bajzianin Orion Elezaj për të qenë i pranishëm në këtë fazë seleksionuese. Ajo do të zhvillohet për datëlindjet 2001, 2002, 2003, 2004, 2005 dhe 2006, për të përzgjedhur elementet e duhur për ekipet kombëtare U15, U17 dhe U19.
Elezaj është vetëm 14 vjeç dhe ka spikatur me paraqitjet e tij në ekipin ku luan dhe kampionatin ku ai merr pjesë. Orioni është i gjatë 1.82 m dhe konsiderohet si një portier i perspektivës.
Me siguri që përveç tij, në këtë seleksionim do të ketë edhe shumë futbollistë me origjinë nga Shkodra apo dhe Veriu por ne për momentin kemi informacion vetëm për Orion Elezajn.
© shkodrasport.com