FSHF-ja, pasi ka punuar shumë, ka gjetur një zgjidhje për çështjen e gjykimit, që së fundi është jashtëzakonisht problematike:

do të sjellë arbitra nga Finlanda në Shqipëri dhe do të çojë arbitrat tanë në Finlandë për përvojë.

Kuptohet se nuk është kjo zgjidhja apo shpëtimi për këtë sektor, por FSHF-ja kërkon të thotë se diçka po bën.

Ka një marrëveshje tashmë me Federatën e Finladës për bashkëpunim në lidhje me arbitrat, ku ata shqiptarë do të shkojnë në Finladë për të gjykuar dhe anasjelltas.

Lajmi është publikuar nga FSHF-ja në faqen e saj, ku shkruan:

Pas Luksemburgut dhe Maltës, së fundmi Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me homologen e saj në Finlandë në lidhje me shkëmbimin e arbitrave në ndeshjet respektive.

Do të ketë shkëmbime të arbitrave me përvojë, si dhe ata të talenteve, që do të gjykojnë në takime të veçanta në Superiore dhe në Kategorinë e Parë dhe anasjelltas.

Po kështu edhe treshe tona të gjykimit do të arbitrojnë në ndeshje të kampionatit finlandez, në momentin që ai do të nisë.

Po kështu, kurset e trajnimit, do të planifikohen nga ana e të dy federatave për arbitrat e rinj.

Në momentet oportune dhe të volitshme, FSHF do të kërkojë arbitra nga Finlanda për ndeshje të rëndësishme në Kategorinë Superiore dhe të Parë, si në këtë sezon, ashtu edhe në sezonin e ardhshëm./vipsport/