Pas Vioresin Sinanit, Federata Shqiptare e Futbollit ka zgjedhur edhe dy emra të tjerë të shquar të futbollit shkodran për të drejtuar ekipet kombëtare të moshave të Zonës së Veriut. Sipas informacioneve që mësohen, institucioni i futbollit shqiptar ka kompletuar tashmë stafet e këtyreekipeve me dy emra të njohur.
Kështu, ish- sulmuesi i Vllaznisë Edi Martini do të drejtojë futbollistët më të mirë 17 vjeçarë të krejt Veriut ndërsa ish- mbrojtësi Elvin Beqiri do të drejtojë ekipin e 13 vjeçarëve. Seleksionimet e këtyre dy grupmoshave tashmë kanë përfunduar nga një staf i zgjeruar i ardhur nga Tirana dhe tashmë ka mbetur vetëm nisja e stërvitjeve për to.Kjo pritet të ndodhë duke filluar nga e hëna e javës që vjen. I vetmi ekip që po vijon normalisht me stërvitjen është kombëtarja e grupmoshës U-15 e cila ka rreth një muaj që ka nisur punën. Në krye të saj është siç dihet Vioresin Sinani, golashënuesi më i mirë i historisë së kampionatit shqiptar. Fakti që në krye të këtyre ekipeve Federata ka zgjedhur emra të tillë, natyrisht që është shumë domethënës. Fëmijët më të talentuar të Shkodrës dhe rrethinave do të kenë se çfarë të mësojnë nga trajnerët e tyre, emrat e shquar si Vioresin Sinani, Edi Martini dhe Elvin Beqiri. Kuptohet që kjo mund të jetë zgjedhja më e mirë që ky institucion ka bërë për këto poste. Nga sa bëhet e ditur, këto ekipe kombëtare rajonale do ta vijojnë gjatë punën duke mos përsëritur historinë e para pak viteve kur u krijuan,funksionuan për disa muaj dhe pastaj u shkrinë. Këtë herë gjërat duket se janë marrë shumë më seriozisht dhe kjo natyrisht që do t’u vlejë shumë ekipeve kombëtare sepse do të kenë mundësi të përzgjedhin elementin më të mirë nga e gjithë Shqipëria.
© shkodrasport.com