Ndonëse kanë kaluar dy ditë nga momenti kur Vllaznia është dhe zyrtarisht pjesë e “Final 4”, Federata Shqiptare e Futbollit ka “harruar” ta publikojë këtë fakt në faqen e saj ashtu siç ka bërë edhe me Egnatian dhe Dinamon më parë.

Në rastin e këtyre dy skuadrave të tjera, FSHF e ka bërë Brenda ditës së zhvillimit të ndeshjes zyrtarizimin e një arritje të tillë, ndërsa për Vllazninë ndonëse një gjë të tillë e ka siguruar pasditen e së shtunës, në institucionin e futbollit shqiptar ende nuk janë “kujtuar” për ta pasqyruar dhe evidentuar.

Vllaznia dy javë para fundit të kampionatit ka 55 pikë në renditje, po aq sa dhe Dinamo, ndërsa Partizani që është i katërti ka 50 pikë dhe Elbasani i vendit të pestë ka 49 pikë. Me logjikë të dy skuadrat mund ta kapin Vllazninë dhe Dinamon, por në fakt në javën e fundit të kuqtë dhe verdheblutë elbasanas do të ndeshen me njëri- tjetrin.

Çka do të thotë se nuk ka as më të voglin shans në aspekti matematikor për ta arritur Vllazninë të dyja ato edhe nëse kjo e fundit i humb të dy ndeshjet. Në këtë aspect, FSHF duhej ta kishte publikuar faktin që shkodranët janë zyrtarisht në “Final 4”.

Megjithatë këta të fundit duan vendin e dytë dhe mbase më shumë rëndësi ka arritja e këtij objektivi dhe shanset për këtë ekzistojnë, madje edhe për vendin e parë por për të shpresuar këtë gjë, pikësëpari u duhet t’i fitojnë dy ndeshjet e mbetura, me Elbasanin dhe Laçin.(www.shkodrasport.com)