Ashtu si vitin e shkuar, edhe në këtë edicion futbollistik Federata Shqiptare e Futbollit ka vijuar me projektin “Topi Yt”.
Përmes një njoftimi në kanalin zyrtar, FSHF-ja bën me dije që të gjitha skuadrat e Shqipërisë do të furnizohen me topa falas, ashtu siç u bë edhe vitin e shkuar.
“Federata Shqiptare e Futbollit ka filluar sot në orën 10:30 në stadiumin “Elbasan Arena”, Elbasan, edicionin e dytë 2018-2019 te projektit “Topi Yt”.
Fjalën e hapjes në këtë ceremoni entuziaste, e ka mbajtur anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Bardhyl Jera, i cili vlerësoi këtë projekt në të mirë të futbollit kombëtar, ku do të furnizohen të gjitha ekipet e Shqipërisë me topa falas, sikurse u veprua edhe edicionin e parë, 2017-2018.
Ky aktivitet i bukur dhe plot emocione pati në mesin e saj dhe Legjenden e Futbollit Shqiptar, Sulejman Demollarin.
Fëmijet u gëzuan edhe më shumë nga performanca e xhonglerit të famshëm, jo vetëm në vendin tonë, Fabian Duro”, shkruhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.