Shkodra e futbollit është vënë para një presioni nga pjestarë të Federatës Shqiptare të Futbollit sa i takon ndërtimit të një ekipi të futsallës ose minifutbollit siç quhet ndryshe. Kjo ngaqë, pikërisht nga ky qytet është baza kryesore e ekipit kombëtar të minifutbollit. Trajneri Alban Hasani që drejton ekipin kombëtar të minifutbollit, duke ua njohur mirë vlerat këtyre lojtarëve, i ka grumbulluar herëpashere në ekipin kombëtar, duke qenë pjesë e rëndësishme e saj. Por sigurisht që kjo situatë nuk mund të vazhdojë më. Edhe drejtues të tjerë të Federatës që mbulojnë këtë sektor në këtë institucion, nuk mund t’ia lejojnë më trajnerit këtë gjë përderisa në Shkodër nuk ka asnjë ekip minifutbolli. Për t’i shpëtuar këta futbollistë nga kjo situatë, trajneri i kombëtares Hasani po insiston edhe në Bashkinë e qytetit për ta ndërtuar një ekip të tillë sa më shpejt. Ai ka patur takim me nënkryetarin Ritvan Troshani përpara disa kohësh dhe ka marrë premtimin se shpejt do krijohet ekipi i minifutbollit nën siglën e Vllaznisë. Por Hasani ka frikë se kjo situatë nuk do marrë zgjidhje.
“Unë e kam ngritur personalisht këtë çështje disa herë, i ngacmuar edhe nga pjestarë të Federatës sepse sipas tij nuk shkon që të grumbullohen shtatë lojtarë nga Shkodra në ekipin kombëtat dhe ata të mos kenë asnjë ekip në këtë qytet. Nëse vazhdon kjo situatë, këta drejtues ma kanë bërë të qartë se këto sportistë nuk do jenë më pjesë e ekipit kombëtar sepse po ofrohen edhe shumë futbollistë kosovarë që kanë një cilësi të mirë sportive. Kam patur takim me nënkryetarin Troshani dhe ia kam bërë të qartë këtë shqetësim. Mendoj se Bashkia Shkodër nuk ka mbetur për 10 milionë lekë të vjetra që të ndërtojë këtë ekip sepse aq lekë shkojnë. Normalisht që do ishte më mirë të kishte biznesmenë që ta merrnin përsipër këtë gjë, por meqë ata nuk po e bëjnë, duhet patjetër ta bëjë Bashkia. Por nëse kjo gjë vonon, do jetë e pafalshme. Mendoj se është e turpshme një gjë e tillë që qyteti me traditë i Shkodrës të mos përfaqësohet në një kampionat të tillë, duke ua humbur mundësinë edhe 6-7 djemve të saj të jenë pjesë e ekipit kombëtar”-ka thënë trajneri i kombëtares Alban Hasani për gazetën online www.shkodrasport.com. Ai ka meritën e padiskutueshme të thirrjes në kombëtare të shumë futbollistëve nga qyteti ynë. Aktualisht pjesë e kombëtares janë futbollistët Fatos Behari, Zamir Lumani, Alis Paçrami, Broz Marku, Erind Mlloja, Bujar Celufaj dhe Erion Mandi. Çfarë do ndodhë me këta futbollistë? Ende askush nuk jep një përgjigje të saktë. Shqetësimi i Alban Hasanit me siguri që do bjerë në vesh të shurdhër dhe këta futbollistë pa ekip, nuk do mund ta shohin më ekipin kombëtar. Mëkat i madh do ishte!
Gjergj KOLA