Në Shkodër më datë 10 qershor do të nisë edicioni i dytë i kursit për trajnerët e licencës UEFA C, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Të gjithë të apasionuarit pas futbollit që dëshirojnë të bëhen pjesë e botës së trajningut e që jetojnë e punojnë në veri mund të bëhen pjesë e kursit UEFA C në Shkodër, që do të zhvillohet i ndarë në tre periudha leksionesh e më konkretisht në datat 10-13 qershor, 2-4 shtator dhe 7-9 tetor.

Në këtë kurs mund të marrin pjesë ish-futbollistë, mësues të edukimit fizik, por edhe persona që janë të apasionuar pas futbollit dhe duan të zhvillojnë një karrierë në këtë sport. Mosha minimale për t’u regjistruar në kurs është 20 vjeç dhe kandidatët duhet të dërgojnë në adresën elektronike drejtoria.teknike@fshf.al diplomën e shkollës së mesme, aktivitetin që ushtrojnë, numrin e kontaktit si edhe një fotokopje të letërnjoftimit apo pasaportës.

Kërkesa për t’u regjistruar në kursin UEFA C, duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën drejtoria.teknike@fshf.al ose përmes postës së zakonshme me konfirmim marrje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 5 qershor 2024 dhe të gjitha aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen.

Kursi i licencës UEFA C është i bazuar në katër shtylla që janë: trajneri, lojtari, ndeshja dhe ambienti, ndërkohë që kjo licencë është edhe baza e trajningut prej nga ku nis edhe rrugëtimi për t’u bërë trajner profesionist. Të gjithë personat që pajisen me licencën e trajnerit “UEFA C” kanë mundësinë të trajnojnë skuadra në futbollin amator dhe mund të punojnë si zëvendës-trajnerë me ekipet e moshave që marrin pjesë në kampionatet e të gjitha niveleve të organizuara nga FSHF në vend.