Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që për herë të parë të organizojë një aktivitet të ri për futbollin e femrave. Bëhet fjalë për një kupë të futbollit “5×5”. Kjo është bërë me qëllim rritjen e numrit të ndeshjeve për këto ekipe dhe pjestaret e tyre.
Në këtë kupë do të marrin tetë ekipet më të mira të vendit të cilat janë ndarë në dy grupe. Në grupin A, ndeshjet e të cilit do të luhen në Shkodër bëjnë pjesë ekipet e Vllaznisë, Juban Danjes, AAS dhe Teutës.
Ndërsa në grupin B, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen në Tiranë, bëjnë pjesë ekipet e Apolonisë, Tirana AS, Kinostudio dhe Dajti. Ndeshjet e turit të parë do të jenë sipas shortit të hedhur në grupin A, është ky:
Vllaznia- AAS
Juban Danja- Teuta
Ndeshjet do të luhen më datë 8 shkurt në kompleksin “Kalçeto Lici” në Shkodër, ndërkohë që gjysmëfinalet dhe finalet do të luhen në datat 15 dhe 21 shkurt. Takimet do të luhen 2×30 minuta dhe në fushë do jenë 6 lojtare ndërkohë që zëvendësimet janë pa limit.
Edhe në këtë kupë, ashtu si në të gjitha kompeticionet e tjera të viteve të fundit, padyshim që Vllaznia është favorite për të fituar megjithatë duhet pritur zhvillimi i ndeshjeve për ta konfirmuar këtë gjë.