300 mijë u tha se ishin kërkesat për t’u pajisur me biletë nga sportdashësit shqiptarë për të qenë prezent në “Air Albania” në ndeshjen ndaj Çekisë. Fluksi i madh bëri që të bijë edhe serveri i shitjes së biletave online, ndaj detyrimisht ato u quajtën të shitura që në frymën e parë.
Por FSHF ka surprizuar mbrëmë me njoftimin e bërë në faqen e saj zyrtare, ku papritmas nxjerr në shitje edhe 1139 bileta, të cilat sërish do të blihen sot online. Bëhet fjalë për bileta që ishin rezervuar për tifozët çekë, por që nuk kanë qenë të interesuar për t’i blerë. Ja njoftimi i FSHF-së:
“Njoftojmë sportdashësit se ditën e nesërme, e martë, ora 12:00 do të kenë mundësi të blejnë bileta për ndeshjen Shqipëri-Çeki në mënyrë elektronike në faqen https://al.ebileta.al/.
Numri i biletave në dispozicion është 1139 copë, përkatësisht në tribunat V 101 – V 103. Këto tribuna u mbajtën të rezervuara për tifozët çekë sipas afateve të përcaktuara në rregulloren e UEFA-s për këtë kompeticion.
Duke qenë se pala çeke njoftoi se do të shfrytëzojë vetëm një pjesë të tyre, atëherë pjesa e mbetur do t’u vihet në dispozicion sportdashësve tanë. Shitja e biletave do të jetë vetëm online”.