Pas ngjarjes së ndodhur sot pas stërvitjes së Vllaznisë, ku një person tentoi të godiste me thikë trajnerin Ernest Gjoka, ka reaguar edhe FSHF përmes faqes zyrtare.
Në këtë deklaratë shkruhet se FSHF është në mbështetje të trajnerit të Vllaznisë dhe inkurajon gjithë trajnerët e tjerë që të vazhdojnë të ushtrojnë pasionin dhe misionin e tyre, trajnimin në futboll.
Presidenti i Federatës, Armand Duka mësohet se ka pasur një komunikim me trajnerin Gjoka, ndërsa i ka garantuar atij angazhim maksimal në zbardhjen e plotë të këtij akti.
DEKLARATA– “FSHF dënon me forcë veprimin më të fundit ndodhur sot me trajnerin e klubit të futbollit Vllaznia, Ernest Gjoka ku një person ka tentuar të godasë me thikë trajnerin pas përfundimit të stërvitjes.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka sapo është informuar për këtë ngjarje ka telefonuar menjëherë trajnerin Ernest Gjoka për tu interesuar në lidhje me gjithcka ka ndodhur. Kreu i FSHF i ka garantuar teknikut angazhimin e tij maksimal në zbardhjen e plotë të këtij akti. Z.Duka ka marrë kontakt më pas edhe me autoritetet policore për cështjen në fjalë.
Të tilla ngjarje janë tërësisht një anë shumë e shëmtuar, që nuk i përkasin aspak futbollit, lojës tonë, dhe dënohen maksimalisht nga opinioni sportiv dhe jo vetëm. Nje ngjarje e tillë duhet të rrisë akoma më shumë ndërgjegjësimin qytetar për të luftuar të tilla fenomene.
Trajnerët tanë profesionistë duhet të punojnë të qetë dhe jashtë trysnisë psikologjike, apo akoma më tej të gjendur të kërcënuar nga situata të tilla me rrezikshmëri të lartë.
FSHF inkurajon trajnerin e Vllaznisë Gjoka dhe të gjithë klasën e trajnerëve që te vazhdojnë të ushtrojnë pasionin dhe misionin e tyre, trajnimin në futboll.
Asnjë motiv, rrethanë apo arësye nuk legjitimon kurrsesi humbjen e kontrollit total dhe ndërmarrjen e veprimeve agresive karshi njerëzve që punojnë cdo ditë dhe angazhohen shpirtërisht me futbollin dhe garën.
Le të shërbejë kjo ngjarje, fatmirësisht e mbyllur pa ndonjë komplikacion shëndetësor për trajnerin Gjoka, për ti paraprirë një disipline dhe rregulli akoma më të lartë nga klubet, në vendet kryesisht ku skuadrat kryejnë stërvitjet ditore. Por mbi të gjitha ti bëj apel ndërgjegjes qytetare për ti thënë STOP episodeve të tilla aggressive”, shkruhet në deklaratën e FSHF.