FSHF ka bërë një reagim së fundmi lidhur me incidentin në futbollin e femrave në ndeshjen mes Partizanit dhe Bilisht Sport. U raportua se gjashtë lojtare të Bilishtit patën një gjendje të fikti në fushë, ndërsa FSHF saktëson se tre vajza u shoqëruan në spital dhe pas analizave janë larguar nga ambientet spitalore. FSHF ka kërkuar kujdes edhe nga mediat në raportimin e tyre mbi situatën.
Reagim publik mbi ngjarjen në ndeshjen e femrave Partizani-Bilisht Sport
Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë dramën e klikimeve të krijuar ditën e sotme në lidhje me ndeshjen Partizani-Bilisht Sport, e vlefshme për javën e parafundit të Kampionatit Kombëtar të Futbollit të femrave.
Gjatë zhvillimit të ndeshjes së vlefshme për javën e 21 të kampionatit, 3 vajza të ekipit juglindor kanë shfaqur gjëndje të fikti. Menjëherë vajzat janë shoqëruar në Spitalin Amerikan nga Ambulanca, e sjellë nga klubi pritës, KFF Partizani, që kanë qëndruar sëbashku me delegatin e ndeshjes, pranë vajzave. Tre futbollistet pasi kanë kryer analizat e nevojshme kanë lënë ambientet e Spitalit.
I bëjmë thirrje të gjithë mediave që të jenë shumë të kujdesshme në raportimin e ngjarjeve të tilla, duke parë që kanë të bëjnë me emocione të lojtareve, prindërve dhe të afërmëve të tyre. Në garën e ekslusiveve dhe klikimeve duhet të tregojmë sëpaku humanizëm dhe profesionalizëm.