Nëse një pjesë e titullarëve janë pajisur me kontrata që i mbajnë të lidhur me Partizanin edhe për dy a më shumë sezone, ndryshe ndodh me disa të tjerë.
Nisur nga situata e kontratave, por edhe mundësitë për shitje, Partizani rrezikon që thuajse gjysma e formacionit të largohet me tu mbyllur sezoni. Valentino Murataj, Eljon Sota dhe David Atanaskoski prej një muaji kanë fituar të drejtën për të negociuar me klubet e tjera, pasi për më pak se gjashtë muaj dalin lojtarë të lirë. Dëshira e klubit është për të rinovuar me të tre për shkak se cilësohen të rëndësishëm për skuadrën, por pavarësisht tentativave dhe bisedave të zhvilluara, deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje me lojtarët në fjalë.
Sakaq, sa i përket këtyre të fundit, prirja është për të pritur deri në fund për propozime jashtë vendit prej faktit se mund të largohen si lojtarë të lirë dhe nisur nga kjo, mundësitë janë më të mëdha. Atanaskoski, në një intervistë për gazetën, ka bërë me dije se do të vendosë në fund të sezonit, teksa Murataj pati lajmëruar një akord paraprak me presidentin Demi, por deri më tani nuk është materializuar asgjë nga ato që janë thënë në tavolina. I vetmi që nuk ka folur në lidhje me të ardhmen është Sota, i cili po luan rregullisht prej dy sezonesh. Zekollit dhe Taipit, gjithashtu i skadon kontrata në verë.
SHITJET – Partizani po punon edhe për të bërë shitje në verë dhe nuk përjashtohet nga drejtuesit largimi i një apo dy lojtarëve kryesorë të ekipit. Aktualisht, lojtari më i kërkuar është Maget Gueje, për të cilin ka shfaqur interes së fundmi edhe Osijeku i Zoran Zekiçit, që është gati të paguajë deri në 600 mijë euro. Të riut i skadon kontrata verën e vitit të ardhshëm dhe merkatoja e radhës është mundësia e fundit për ta shitur shtrenjtë, nëse nuk arrihet rinovimi. Një tjetër lojtar i kërkuar, për të cilin ka pasur interesime nga Spanja, Norvegjia, Turqia, Suedia apo Hungaria, është Arinaldo Rrapaj. Vlonjati e ka bërë të qartë edhe në deklaratat e tij se po e pret transferimin jashtë vendit dhe beson se ka ardhur momenti i duhur. Andi Hadroj, është një tjetër shitje e mundshme./PANORAMA-SPORT/