Reali i Madridit ka vendosur: kontrata e Luka Modric nuk do të rinovohet. Nga sezoni i ardhshëm, mesfushori kroat nuk do të veshë më fanellën e klubit “merenges” dhe do të jetë i lirë të gjejë një ekip të ri.

Sipas Cadena Ser, Modric tashmë është në dijeni të planeve të klubit, i cili vitet e fundit ka rinovuar skuadrën veçanërisht në zonën e mesfushës. Në muajt e fundit, ish-lojtari i Tottenhamit ka luajtur pak, kryesisht gjatë periudhave në të cilat Camavinga dhe Tchoauméni u dëmtuan.

Është e qartë, që Ancelotti nuk e konsideron më kroatin titullar: në 24 paraqitje deri më tani në të gjitha ndeshjet, vetëm në 14 raste është përdorur që nga minuta e parë dhe në dy raste ka luajtur të gjithë ndeshjen.

Modric, në moshën 38-vjeçare, do të duhet të marrë një vendim për të ardhmen e tij. Ai kishte oferta nga Arabia Saudite (të cilat megjithatë i refuzoi) dhe gjithçka sugjeron se ai do të vazhdojë të luajë.

Mesfushori do të jetë ende kapiten i kombëtares së tij në Euro 2024 dhe më pas do të jetë koha për të nisur një aventurë të re, pas 12 sezonesh me Real Madrid, i cili investoi 42 milionë euro për ta blerë nga Tottenham. Së bashku me Ramos, Ronaldo, Marcelo, Benzema, Kroos dhe Casemiro ai shënoi një epokë, duke fituar pesë Champions League dhe trofe të tjerë të ndryshëm, si dhe padyshim Topin e Artë 2018.