Kampionati shqiptar i futbollit ende është në një ‘tymnajë’ totale, ku asnjë prej skuadrave nuk është se ka siguruar ndonjë objektiv dhe gjithçka duket shumë e hapur për secilën në këto 5 javë të fundit. Ndeshjet do jenë shumë interesante, ku do ketë duele për titullin kampion, zonën e Europës, por edhe për mbijetesën.

Vllaznia nga ana e saj duket se nuk ka asgjë në dorën e vet për sa i përket kampionati, pasi tashmë shkodranët janë në ndjekje të të tjerëve dhe duhet të presin nga gabimet e skuadrave si Egnatia apo edhe Laçi. Gjithçka në fund të këtij sezoni nis nga dita e nesërme ku kuqeblutë do jenë përballë Kastriotit në javën e 32-të të kampionatit.

Duelet kundër krutanëve në sezonet e fundit kanë qenë me të vërtetë shumë të ‘sikletshme’ jo vetëm për Vllazninë. Kastrioti nga ana e vet duket se ka marrë rrugën për në Kategorinë e Parë, por në asnjë moment nuk duket se do hapin krahun për Vllazninë dhe ndeshja që do zhvillohet në Elbasan nesër pritet me të vërtetë rivalizuese.

Te Vllaznia patjetër duan fitoren, kjo më shumë për të rregulluar humorin në ekip para një ndeshjeje shumë vendimtare siç do jetë gjysmëfinalja e kthimit për kupën e Shqipërisë kundër Egnatias në datën 10 maj. Ndeshja kundër Kastriotit mund të jetë një ‘ilaç’ shërues për skuadrën e Sedloksit, që në këto momente duhet të harrojë gjithçka çfarë ka ndodhur dhe të jetë totalisht e përqendruar në këtë fund sezoni.
Endri ÇINARI