Merkato e dimrit ende s’është hapur, por me interes priten zhvillimet që do të ndodhin në klubin e Partizanit. Paraqitja e kampionëve nuk ka qenë në nivelin e pritur e rrjedhimisht priten largime nga të kuqtë. Burime të besueshme pranë kryeqytetasve bëjnë me dije për newsport.al që është përpiluar një listë paraprake me emrat e futbollistëve që do të “divorcohen” me të kuqtë.
Nga mbrojtja e deri në sulm, do të ketë zhvillime të rëndësishme sa i përket merkatos në “dalje”. Hektor Idrizaj nuk ka qenë brenda pritshmërive të drejtuesve dhe mes palëve pritet një dakortësi për t’u larguar. Megjithatë gjithçka do të vendoset në vijim. Veç Idrizajt, tjetër lojtar që pritet të largohet është Alesio Hyseni. Mesfushori i afruar nga Flamurtari ishte shumë larg asaj që dha te vlonjatët, raporton newsport.al.
Krahas dy futbollistëve të sipërpërmendur, do të ketë “furtunë” te lojtarët e huaj. Aristoletes Romero është i pari që do t’i japë duart të kuqve. Mesfushori luftarak s’është përshtatur siç duhet me grupin. Gjithashtu sulmuesit Broën dhe Solomon do t’i japin lamtumirën të kuqve.
Dejan Boldor është lojtari që shkëlqeu gjatë javëve të para te kampionët. Qendërmbrojtësi rumun u vlerësua edhe nga analistët sportivë, mirëpo në ndeshjet e fundit ka qenë ndër më të kritikuarit. Për të ka interes nga klube të huaja dhe me shumë mundësi derbi kundër Tiranës ka qenë i fundit për të.
Esin Hakaj është lojtari tjetër që mund t’i japë lamtumirën të kuqve. Mëngjërashi i Partizanit ka kërkuar më shumë minuta në këmbë, por me një super Trash në krahun e majtë, askush s’mund t’ia premtojë një gjë të tillë. Kësisoj “divorci” është shfaqur në horizont. /Newsport/