Ish-presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, është gati që të blejë shumicën e aksioneve për të marrë përsëri drejtimin e klubit shkodran. Në një prononcim për “Star Plus TV”, Fushaj ka pranuar gatishmërinë e tij për t’u kthyer në drejtimin e klubit si president dhe se do të tentojë blerjen e aksioneve kur ato të nxirren në ankand nga Bashkia e Shkodrës.
Fushaj përmendej prej kohësh si një emër i interesuar për të marrë Vlalzninë përsëri nga administrimi i i Bashkisë së qytetit verior, për ta drejtuar atë dhe për ta kthyer në një klub që lufton për objektiva madhorë dhe jo thjesht për mbijetesë siç ka ndodhur në vitet e fundit. Në prononcimin e tij për televizionin shkodran, ai ka bërë të ditur se është gati të blejë deri në 75% të aksioneve të klubit.Por Fushaj ka hedhur poshtë zërat se ka qenë ai që ka insistuar për afrimin e Ernest Gjokës në pankinën e Vllaznisë pas largimit të Cungut. Të dielën, në TVSH, ish-futbollisti e trajneri i kësaj skuadre, Edi Martini, tha se Fushaj ishte personi që kishte afruar trajnerin që u shpall kampion me Kukësin. Fushaj ka insistuar në fjalët e tij për televizionin shkodran se që nga momenti kur ka lënë presidencën e klubit, nuk ka bërë më asnjë sygjerim sa i përket trajnerëve apo lojtarëve dhe nuk kishte raporte të tilla bashkëpunimi aktualisht me Bashkinë e Shkodrës.