Ish-presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, “armën” e tij të fortë në tetë vite investim te kuqeblutë ka pasur ringritjen e akademisë, nga ku dolën Sukaj, Lika, Balaj, Vajushi etj., teksa disa prej tyre u shitën në Turqi në periudhën kur ai drejtonte klubin.
Në bisedën e djeshme për gazetën “Panorama Sport”, Fushaj theksoi se klubi ka keqmenaxhuar totalisht edhe ekipet zinxhir.
“Këta e kanë menaxhuar keq klubin, duke filluar nga mosha 10-vjeçare. Nuk ka bërë vaki ndonjëherë te Vllaznia që të vijë lojtari nga U-19, i dalë kampion, dhe të mos luajë as 10 minuta me ekipin e parë.
Pra, edhe ekipet zinxhir të akademisë këta i kanë menaxhuar si mos më keq. Keqmenaxhim total”, ka thënë ish-kreu i klubit, i cili udhëhoqi Vllazninë drejt fitimit të Kupës së Shqipërisë në vitin 2008 dhe disa kualifikimeve në kompeticionet e UEFA-s.