Kur në Shkodër përmendet emri Valter Fushaj, të gjithë sportdashësve të këtij qyteti ju shkon mendja te një Vllazni e madhe, e frikshme, por mbi të gjitha Europiane. Pas zërave të fundit rreth rikthimit të ish presidentit pranë presidencës së klubit “Vllaznia”, ai ka sqaruar vetë me gojën e tij gjithë situtën në një intervistë ekskluzive për portalin”Qiriu Sport” dhe sot e ka konfirmuar edhe per gazeten www.shkodrasport.com.Fushaj ka deklaruar se nësë do të duhej ndihma e tij, ai do e jepte pa asnjë hezitim në rast se ia kërkojnë.

Zoti Fushaj, po qarkullojnë shumë zëra për një rikthim të mundshëm tuajin te Vllaznia. Si qëndron e vërtëta?
Këto zëra kanë dalë nga muhabete tavoline me disa miq të mi teksa më kanë pyetur se a do doja une të rikthehem tek presidenca e Vllaznisë. Unë ju thashë që “po” ndaj dhe mendoj se është krijuar kjo zhurmë mediatike.
A do donit ju realisht të riktheheshit tek Vllaznia?
Nuk ka ditë që njerëzit të mos më ndalojnë në rrugë dhe të më thonë “Merre Vllazninë, qysh se e le ti nuk eci…” dhe unë u them që nëse më duan këtu më kanë. Megjithatë kam dhe unë kushtin tim. Nën 400 milionë lek të siguruara nga Bashkia nuk e marr. Edhe në ditën që unë kam dhënë dorëheqjen kur merrja 80 milionë lek të vjetra kam thënë që nëse Vllaznia ka një ditë nevojë për mua unë nuk e lë në rrugë.
Pse u larguat nga Vllaznia?
Kërkova 250 milionë lekë nga Bashkia dhe nuk m’i dhanë ndërkohë që sot shpenzohen 500/600 milionë dhe nuk marrin sukses dhe as nuk kanë për të marrë me këtë drejtim.
Çfarë mendon se çalon tek Vllaznia, pse ky ekip po noton prej vitesh nën ujra të turbullta?
Vllaznia për mbijetesë është një turp. Çalon drejtimi i Vllaznisë, çalon akademia, çalojnë ato që shquhen si talente…
Një koment për trajnerin Cungu…
Trajneri Cungu është trajner në kohën e duhur tek Vllaznia, është korrekt dhe shumë i mirë por me këtë drejtim që ka Vllaznia Cungu nuk ka çfarë të bëjë.
Cilat janë aspiratat tuaja si president i Vllaznisë?
Nën drejtimin tim si president për Vllazninë detyrë shtëpie ka qënë “Europa”. Bëhet fjalë për trofe.
Nën drejtimin tuaj a mendon se do kishte pasur rikthim të lojtarëve shkodranë, titullarë të ekipet tjera në superligë?
Në kohën kur isha unë president kanë qenë 60-70% shkodranë tek Vllaznia. Sot është dita që ekipi i Vllaznisë të ketë jo më pak se 70% shkodranë. Bëhet fjalë edhe për titullarë. Nuk mundet Vllaznia të luajë me 5 ose 6 lojtarë të rinj, dy ose tre ndoshta.
Çfarë komenti keni për drejtimin aktual të Vllaznisë?
Ka 5 vjet që Vllaznia ndodhet në një gjëndje të vështirë. Na kanë turpëruar. Është turp për Vllazninë të diskutojë rënien nga kategoria.
Ju gëzon stadiumi i ri?
Stadiumi i ri i shërben gjithë Shkodrës. Unë jam një ndër iniciatorët dhe kam qenë sëbashku me kryeministrin ditën që është vendosur rindërtimi i stadiumit.