Antonio Kasano është tërhequr përfundimisht nga futbolli i luajtur. Barezi, i famshëm për talentin e tij dhe karakterin e vështirë, ka vendosur të varë këpucët në gozhdë. 36-vjeçari tentoi të luante me ekipin e Entelës në Serinë B, por kuptoi që nuk mund të stërvitej përditë.

Kasano shpërtheu me Barin e tij, ku debutoi në moshën 17-vjeçare me golin e shënuar përballë Interit. Më pas pesë sezone te Roma, ku përjetoi vitet më të bukura të karrierës, kalimi te Real Madrid, por pa arritur të lërë shenjë dhe rikthimi te Sampdoria. Në Xhenova u rikthye në formën e tij të mirë.

Më pas Milan, Inter, Parma, përsëri Sampdoria dhe tashmë tërheqja përfundimtare. Me kombëtaren e Italisë zhvilloi 39 ndeshje, duke shënuar 10 gola, ndërsa arritja më e madhe ishte finalja e Europianit të vitit 2012, e humbur përballë Spanjës.

Gjatë karrierës ka fituar dy tituj kampion me Real Madrid dhe Milanin dhe dy Superkupa Italie me Romën dhe Milanin. Kasano është një nga talentët më të mëdhenj të futbollit italian të viteve 2000 dhe një nga pengjet më të mëdhenj. Me një kokë ndryshe dhe profesionalizëm më të madh, barezi do të arrinte shumë më lart në karrierën e tij, siç e pohon vetë në letrën e lamtumirës.

LETRA E PLOTË E KASANOS – “Të dashur miq. Erdhi dita, ajo ku vendos që ka përfunduar me të vërtetë. Falënderoj presidentin Gozi dhe djemtë e Entelës për mundësinë që më dhanë. Ju uroj gjitha të mirat. Në këto ditë stërvitje kam kuptuar se nuk e kam kokën në vend për t’u stërvitur me vazhdimësi. Për të luajtur futboll nevojitet pasion dhe talent, por mbi të gjitha duhet vendosmëri dhe në këto momente kam prioritete të tjera. Dua të falënderoj të gjithë shokët e skuadrave të këtyre viteve, kundërshtarët, trajnerët dhe drejtuesit (sigurisht dhe ata me të cilët jam grindur). Mbi të gjitha, dua të përshëndes tifozët, ata të anës time, por dhe ata kundërshtarë, sepse futbolli nuk do të ekzistonte pa ata. Topi më ka dhënë shumë. Më ka dhënë mundësinë të njoh njerëz të mrekullueshëm, kampionë të mëdhenj dhe njerëz të thjeshtë. Më nxori nga rruga, më ka dhuruar një familje të mrekullueshme dhe, mbi të gjitha, më ka bërë të argëtohem si i çmendur. Edhe sot kur më rastis të shoh ndonjë ndeshje, mbetem i hipnotizuar. Kjo është loja më e bukur që ekziston. Po, e di, me një tjetër karakter do të kisha fituar më shumë dhe luajtur më mirë, por më besoni, kam përjetuar emocione të pabesueshme dhe sot kam përkrah vetes, të vetmet gjëra që kanë vërtetë rëndësi. Familjen time, miqtë e mi dhe asnjë keqardhje. Tani fillon pjesa e dytë e jetës time. Jam kurioz dhe i karikuar për t’i treguar, para së gjithash, vetes time se mund të bëj gjëra të bukura edhe pa ndihmën e këmbëve të mia.”