Kampionati kombëtar i futbollit për femra po shkon drejt sprintit final të finishit, ku do të përcaktohen edhe verdiktet e këtij edicioni futbollistik. Tashmë, kanë mbetur edhe dy javë nga fundi i këtij sezoni, me ndeshjet e javës së 17-të që do të luhen ditën e nesërme.

Kështu në javën e 17-të, Vllaznia do të luajë takimin ndaj Apolonisë, ku shkodranet do të kërkojnë padyshim fitoren për të qenë më afër titullit të 10-kampion të Shqipërisë. Kjo ndeshje do të zhvillohet në Fier ditën e nesërme, duke nisur nga ora 16:00.

Ndërkohë, në ndjekje të Vllaznisë kryesuese ndodhet Tirana, e cila do të presë në shtëpinë e saj Skënderbeun po ditën e nesërme. Në fakt, kjo ndeshje pritet të jetë një sfidë në dukje e lehtë për vajzat bardheblu, të cilat në këtë edicion futbollistik kanë qenë dhe vijojnë të jenë në ndjekje të Vllaznisë, me këto dy ekipe që kanë qenë pretendentet kryesore për vendin e parë në kampionat.

Kujtojmë këtu që, ekipi i vajzave kuqeblu kryeson tabelën e renditjes në kuotën e 48-pikëve, tre më shumë se ekipi bardheblu. Ndërkohë, këto dy skuadra, pra Vllaznia dhe Tirana do të ndeshen mes tyre në javën e fundit të kampionatit në Shkodër, në një ndeshje mjaft interesante dhe të luftuar për këto dy ekipe.
Maringlen ZHIVANI