Krahas futbollit profesionist, nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit do të ketë edhe një organizim për atë që deri sot është vetëm futbolli i pasionit, dëshirës dhe miqësive ose thënë në gjuhën e përditshmërisë, kalçetot.
Nën drejtimin e Lysjen Nurishmit, ish-shefit të sektorit të garave, është ndërtuar një strategji e mirëfilltë organizative e cila do të bëjë të mundur ngritjen e kampionateve rajonale për të konkluduar në fund me finalen e këtij kompeticioni. Për “Panorama Sport”, Nurishmi shpjegon “futbollin 5×5”.
Çfarë është “futbolli 5×5”, ky kampionat i ri i krijuar nga FSHF?
Nga studimet e FSHF-së, por edhe të UEFA-s, një pjesë e konsiderueshme në Shqipëri, luan futboll rregullisht në mini-fushat, ose siç quhen në gjuhën popullore kalçetot, e cila përllogaritet në rreth 5% të popullsisë në vendin tonë, por asnjë prej tyre nuk është i evidentuar askund. Për këtë arsye, FSHF ka iniciuar këtë projekt.
Në këtë kompeticion do të marrin pjesë të rinjtë, por edhe presona të moshës mbi 40 apo 50 vjeç. Nuk ka kriter moshe por s’do lejohen nën 18 vjeç. Gjithashtu, nuk do të lejohet asnjë futbollist aktiv, profesionist. Është kampionat për ish-lojtarë, trajnerë, por jo nëse je në aktivitet si futbollist. Thjeshtë njerëz që kanë dëshirë, pa qenë profesionistë.
Çfarë regjistrimi nevojitet dhe si do të jetë kampionati?
Të gjithë personat që do të regjistrohen, do të jenë në sistemin COMET që përdor FSHF për të gjitha aktivitetet në Shqipëri. Gjithashtu, ideja dhe pikësynimi ynë është që këto kampionate të zhvillohen në mënyrë të rregullt. Pra të ketë një kalendar, ndeshje me data dhe orare të përcaktuara, në fusha ku luhet rregullisht ky lloj futbolli.
Është quajtur ‘futbolli 5×5’, pasi shumica e ekipeve në këtë format luajnë, me pesë lojtarë. Nuk do të ketë rregulla strikte, por do të jetë si të thuash një futboll i lirshëm si zakonisht në një kalçeto. Ne kemi përshtatur disa pika dhe rregulla të asaj që sot është thuajse e automatizuar si rregullore e këtij futbolli. Do të ketë arbitër, delegat, një mjek si dhe sekjuriti (siguri private). Gjithashtu, çdo ndeshje do të pasqyrohet në databazën e FSHF-së dhe në faqen zyrtare.
Çfarë strukture pritet që të ketë ky kampionat?
Kemi menduar që ta zhvillojmë në të gjitha zyrat rajonale të FSHFsë në të gjithë Shqipërinë. Ekipet do të luajnë brenda rrethit ose qytetit ku jetojnë dhe pastaj, fituesit e çdo zyre rajonale do të kenë “play off”-in për të shpallur ekipin fitues. Për kampionin kombëtar të ‘futbollit 5×5’, do të ketë shpërblime, siç edhe për fituesit e çdo zyre rajonale.
Si bëhet regjistrimi në kampionat?
Kemi vendosur një kuotë prej 30 mijë lekësh (të rinj) për çdo ekip dhe automatikisht ekipi përfiton 10 uniforma loje, është e përfshirë pagesa e fushave ku do luhet si dhe topat e lojës. FSHF ka krijuar një formular ‘online’ në www.fshf.org/5×5 ose 5×5@FSHF.al apo në numrin “0682018215”, ku si të thuash kapiteni vendos të dhënat, emrin e ekipit, ngjyrat e fanellave, qytetin ku është, të dhënat e lojtarëve dhe fushën ku preferon të luajë. Pastaj, kontaktohet nga zyrat rajonale për të bërë procedurën e regjistrimit, pagesën dhe marrjen e bazës materiale. Çdo lojtar do të ketë kartonin e federimit.
Cili është synimi i këtij projekti?
Synimi i këtij projekti, krahas regjistrimit të këtyre lojtarëve me statistika të sakta, është edhe për të rritur sa më shumë numrin e personave të tjerë që nuk janë të angazhuar për t’u marrë me sport. Shëndeti është gjëja më e rëndësishme dhe kjo lojë i shërben cilësisë së jetës. Jo çdokush shkon në palestër apo bën aktivitet tjetër sportiv, ndërsa futbolli është loja më e dashur dhe më e thjeshtë për t’u luajtur nga moshat e reja deri tek ato më të mëdha.