Për futbollin e femrave ka gjithnjë e më tepër interes në Shkodër. Dy ekipet e saj, Ada dhe Juban Danja, kanë krijuar një rivalitet shumë të madh me njëra- tjetrën dhe kjo është parë qartë në fazën e parë të kampionatit. Ky rivalitet pritet të jetë prezent edhe në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, trofe ky që pritet të nisë në fund të janarit ose në fillim të shkurtit. Edhe në këtë kompeticion, rivaliteti më i madh për ta fituar atë, do jetë sërish në mes këtyre dy ekipeve. Si Ada ashtu edhe Juban Danja pritet të kenë edhe ndryshime në përbërje apo dhe në stafet drejtuese.
Kështu, tek Ada, skuadra kampione në fuqi e vendit, siç dihet është ende bosh vendi i trajnerit pas dorëheqjes së trajnerit të mëparshëm Fatmir Axhani. Presidenti Lazër Matia është duke i studiuar mirë të gjitha kandidaturat e mundshme dhe për 3-4 ditë mendohet të bëjë zyrtarizimin e trajnerit të ri. Nga ana tjetër tek Juban Danja, ndryshime në pankinë nuk do ketë por drejtuesit e saj janë duke u bërë gati për të bërë ndërhyrje të rëndësishme në merkato. Objektivi është përforcimi i skuadrës me 4-5 lojtare cilësore megjithatë kjo do shihet në ditët e ardhshme. Ada e ka mbyllur fazën e parë të kampionatit duke qenë në krye të renditjes me dy pikë më shumë se rivali i tyre kryesor. Vitin e kaluar, ka qenë Juban Danja ajo që fitoi trofeun e Kupës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë, pritet të ketë shumë rivalitet edhe sivjet për të dy trofetë që jep Federata Shqiptare e Futbollit për futbollin e femrave.
www.shkodrasport.com