Ashtu si shumica e bizneseve, edhe futbolli është në vështirësi të mëdha financiare. Qeveria e ka shprehur qartë se nuk ka ndërmend t’i ndihmojë dhe deri tani janë në mes të rrugës.
Megjithatë, Armando Duka jep shenja shprese për futbollin me deklaratën e dhënë për gazetën Tema, kur shprehet se FSHF nuk do e lërë futbollin në rrugë, por do e ndihmojë. Ai shton se do kërkojë edhe një kredi nga qeveria për të kompensuar pagat e futbollistëve.
“Financimi i sportit dhe mënyra si duhet të zhvillohet është temë më vete. Ne e nisëm dhe nuk është se po merret seriozisht. Është e vetmja fushë e aktualitetit që nuk meritoka një kompensim? Nuk e ka ndaluar askush qeverinë të kontrollojë deklarimet. Informaliteti në Shqipëri nuk është vetëm në futboll, është kudo.
Retail është 70% informal. Ne mundësitë i kemi, do të jemi pranë klubeve dhe nuk do t’i lejojmë që ta humbin besimin te futbolli. Do t’i mbështesim. Ne nuk kemi buxhet nëse kriza do të zgjasë, por mbase kryeministri do të krijojë kushtet për ndonjë kredi të paguajmë edhe futbollistët”, deklaroi Duka. /vipsport/