Ndeshjet e Superiores dhe mbarë kategorive të tjera në futbollin tonë do jenë pushim deri në datën 11 dhjetor. Kjo siç dihet për shkak të zhvillimit të Botërorit në Katar, që për herë të parë zhvillohet në dimër. Por disa aktivitete futbollistike vijojnë dhe sot do jenë në fushë ekipet e moshave.
Kampionati u-17 dhe ai u-19 do zhvillojnë ditën e sotme takimet e rradhës. Kështu Vllaznia do zbresë në fushë me të dy ekipet, si atë të 17-vjeçarëve, por edhe atë të 19-vjeçarëve. Skuadrat do janë mysafire në Fier, ku do i presë në një përballje të dyfishtë Apolonia vendase.
Të parët që do luajnë janë 17-vjeçarët e drejtuar nga Gilman Lika. Shkodranët do zbresin në fushë në orën 11:00, për të vijuar formën e shkëlqyer. Ku në javët e fundit përveç lojërave të mira, kanë marrë edhe rezultate shumë pozitive. Duke qenë kështu tashmë në vendin e parë të renditjes me 17 pikë, aq sa edhe Teuta. E prandaj në Fier do tentohet vijimi i kësaj ecurie kaq pozitive.
Në orën 13:00 do jetë rradha e ekipit të u-19 që drejtohet nga Edmond Doçi për të luajtur duelin e tyre. Kuqeblutë e vegjël do jenë përballë kryesuesit aktual të kampionatit të 19-vjeçarëve, Apolonisë në kuotën e 16 pikëve. 3 më pak kanë shkodranët në vendin e katërt që kanë ambicie për të kapur kreun. Duhet theksuar se Apolonia është kampionia në fuqi e vendit për këtë grup moshë dhe ndeshja pritet me të vërtetë interesante sot në Fier.
Endri ÇINARI