Sezoni futbollistik I të rinjve është mbyllur dhe Vllaznia U19 është renditur e dyta në kampionat, duke mos arritur dot të shpallet për herë të tretë kampione e Shqipërisë. Megjithatë paraqitja e këtij ekipi edhe në këtë kampionat ka qenë e mirë dhe kanë spikatur disa prej sportistëve të tij.

Ajo çfarë tashmë ka dalë në skenë është dilema se çfarë do të bëhet me lojtarët të cilëve u mbaron mosha për të luajtur me Akademinë. Disa prej tyre janë prej kohësh nën kontratë dhe bëhet fjalë për kapitenin Lekaj, për Repajn e Shimën.

Po ashtu edhe portieri Qarri dhe mesfushori Mali janë në planet e drejtuesve për të firmosur, megjithatë pritet të mësohet se çfarë do të ndodhë edhe me lojtarë të tjerë si Hoxha, Qardaku, Ndreca, Kulla, Kovaçi, Rrasa e të tjerë.

Padyshim që të gjithë nuk mund të jenë pjesë e Vllaznisë por e rëndësishme është që ata të firmosin me kuqeblutë dhe më pas, pse jo të huazohen tek ekipet e tjera. Nga sa është thënë vazhdimisht nga trajneri Zmijani apo dhe dy drejtuesit e Akademisë Hoxha e Neziri, janë disa futbollistë që vërtetë mund të konsiderohen e ardhmja e Vllaznisë.

Kuptohet që nisja e punës për sezonin e ri do të vërë në lëvizje edhe drejtuesit e ekipit të parë që do të përcaktojnë edhe listën e lojtarëve që do të kenë të gatshëm edhe nga të rinjtë.
© shkodrasport.com