Tek skuadra shkodrane jo vetëm trajneri Shpëtim Duro e ka mendjen tek paratë e kontratës që ka për të marrë deri më 20 janar. Këtë kërkojnë edhe disa prej futbollistëve titullarë të Vllaznisë. Janë 7-8 lojtarë që kanë për të marrë këstet e kontratave brenda dy ditësh të ardhshme, gjithnjë sipas asaj çfarë kanë të shkruar në kontratë. Këta futbollistë mësohet se ditën e djeshme I kanë kërkuar administratorit të klubit Fatos Gjyrezi një takim. Takim ky që do të zhvillohet ditën e sotme. Në këtë takim pritet të jenë disa prej futbollistëve që kanë për të marrë këste kontratash në këtë periudhë dhe pikërisht Beqiri, Smajli, Belisha, Hajdari, Shtubina, Nallbani, Begaj e Deliç. Bashkë me ta pritet të jetë edhe trajneri Shpëtim Duro.
Nga sa bëhet e ditur, futbollistët në fjalë kanë ndër mend t’I kërkojnë administratorit Gjyrezi garancinë për shlyerjen sa më shpejtë të këtyre detyrimeve të prapambetura, pa harruar që e gjithë skuadra ka edhe një gjysmë rroge për të marrë. “Do të kërkojmë marrjen e lekëve që klubi na detyrohet dhe nëse kjo gjë nuk bëhet për 3-4 ditë, atëherë ne nuk do të nisemi për në Ulqin për fazën përgatitore”- ka thënë njëri prej këtyre futbollistëve që nuk ka dashur të prononcohet me emër. Ata sot do të bëjnë presion për të marrë lekët në një periudhë të shkurtër megjithatë kjo e vështirë që ka për të ndodhur. Themi kështu sepse për lëvrimin e fondit të Bashkisë duhet njëfarë kohe megjithatë lojtarët më shumë sesa respektimi I këtij afati, duan garancinë se kur do t’I marrin ato. Administratori I klubit Fatos Gjyrezi është I angazhuar për zgjidhjen sa më parë të këtij problemi dhe tashmë duhet parë se çfarë do të ndodhë. Nëse futbollistët nuk marrin paratë, ose të paktën premtimin se kur do t’ua japin, atëherë me shumë siguri të hënën e mbrapa edhe procesi stërvitor do të mund të mos zhvillohet I plotë.
www.shkodrasport.com