Shumë prej futbollistëve të Vllaznisë janë në ankth për të ardhmen e tyre. Kontratat që ato kanë me klubin shkodran përgjithësisht janë me të drejtë rinovimi dhe akordi në mes palëve. Por deri më sot, askush nuk është ulur të flasë me ta që prej mbarimit të kampionatit.

Kuptohet që dorëheqja e administratorit të mëparshëm Gjyrezi i ka lënë disi gjërat pezull, për më tepër që u vonua edhe emërimi i pasardhësit të tij. Megjithatë tashmë gjërat duket se po shkojnë drejt konkretizimit dhe duket se është çështje orësh emërimi i Suad Licit në këtë post.

Të paktën kjo përshtypje krijohet përderisa vetë ish- futbollisti i njohur ka pranuar kontaktet me drejtuesit e lartë të klubit dhe po ashtu, ka shprehur dëshirën për të ndihmuar skuadrën në këto momente të vështira.

Emërimi i administratorit të ri do të shoqërohet më pas edhe me emërimin e trajnerit të skuadrës së parë dhe ky i fundit do të hartojë listën e lojtarëve me të cilët do të punojë në sezonin e ri. Sapo kjo listë të jetë hartuar, atëherë administratori do të nisë kontaktet me futbollistët.

Të paktën nga sa flitet, me rënien e Vllaznisë nga Superliga, do të ketë reduktim të pagave të shumë prej futbollistëve. Por në fakt, ka edhe prej atyre që presin rritjen e kontratave ose ndryshe, t’u jepet leje- kalimi ngaqë kanë oferta të tjera.

E sigurtë është që java e ardhshme do të jetë shumë vendimtare në këtë drejtim sepse skuadra e ardhshme që do të përfaqësojë Vllazninë në kategorinë e parë, do të nisë të marrë formë.

Edhe lojtarët nuk do të kenë më pasigurinë për të ardhmen dhe do t’i nënshtrohen punës për të rikthyer skuadrën aty ku e meriton, në Superligë.
www.shkodrasport.com