“Me urdhër të kryetares duhet të paraqiteni në stërvitje në orën 17:00”. Është ky mesazhi që ka ardhur dje në telefonin e secilit futbollist. Mirëpo, pas bojkotit në seancën e së enjtes, lojtarët e Vllaznisë kanë bërë të njëjtën gjë edhe dje.
“Panorama Sport” ndoqi nga afër zhvillimet te shkodranët dhe në fushën sportive të fshatit Golem, aty ku skuadra nisi stërvitjen të hënën, nuk u paraqit ditën e djeshme asnjë futbollist.
Një situatë vërtetë e trishtueshme, teksa pjesëtarët e stafit teknik, zv.trajneri Safet Osja dhe trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi, pritën më kot nëse ndonjë nga lojtarët do të vinte në terrenin stërvitor.
Kapiteni Gilman Lika deklaroi se derisa të marrin zgjidhje kërkesat e futbollistëve për rrogat e pamarra, kontratat, akomodimin etj., skuadra nuk do të paraqitet në stërvitje.
Lojtarët duken më të bashkuar se kurrë dhe as paralajmërimet apo presionet për masa penalizuese nuk u kanë bërë përshtypje. Jonuz zbatoi karantinën, duke mos u shfaqur në kompleksin stërvitor, ndërsa Osja dhe Lekiqi, pasi pritën për 20 minuta dhe konsuamuan nga një cigare, lanë fushën të zhgënjyer në këtë situatë të paprecedentë.