Shkëlqim Demhasaj dhe Albian Ajeti kanë shkruar sot që të dy emrat e tyre në listën e futbollistëve që kanë gjetur rrugën e rrjetës në kampionatin zviceran të futbollit.
I pari ndihmoi ekipin e Lucernës të dhuronte një nga surprizat më të mëdha të sezonit, ndërsa i dyti ndihmoi skuadrën e tij të merrte një fitore të rëndësishme që e kthen në vendin e dytë në klasifikim.
Demhasaj shënoi në fitoren surprizë 3-2 të Lucernës në fushën e Jang Bojs, skuadrës e cila po dominon kampionatin zviceran dhe që deri sot kishte fituar të 9 ndeshjet e luajtura.
22-vjeçari shënoi golin e parë të ndeshjes, ku skuadra e tij u përmbys nga Jang Bojs, e më pas ktheu përsëri vetë rezultatin duke arritur një sukses të shkëlqyer.
Ndërsa Ajeti realizoi gjithashtu golin e parë në fitoren 3-1 në transfertë të Bazelit përballë St. Galen në ndeshjen ku Taulant Xhaka e filloi nga stoli për t’u aktivizuar vetëm në minutat e fundit.
Si Demhasaj, ashtu edhe Ajeti, kanë marrë vazhdimisht ftesa për të veshur fanellën kuqezi, por asnjë prej tyre nuk e preferon atë, duke zgjedhur të përfaqësojë Zvicrën në arenën ndërkombëtare./vipsport/