Ashtu siç ishte paralajmëruar, një grup I futbollistëve të Vllaznisë paraditen e djeshme kanë zbritur tek zyrat e klubit shkodran për të kërkuar lekët që u takon në bazë të kontratave që kanë të nënshkruara, si për rrogat e prapambetura ashtu edhe për këstet e kontratave. Ata janë takuar me administratorin e klubit Fatos Gjyrezi dhe ia kanë bërë të ditur shqetësimin e tyre madje duke dalë hapur me pretendimin e tyre se nëse nuk likujdohen financiarisht, ata nuk do nisen të dielën për në Ulqin ku ekipi do shkojë për stërvitje. Por ky problem është ngritur edhe në takimin që skuadra ka patur me trajnerin e ri Artan Bushati pasdite. Lojtarët edhe në sy të tij, kanë kërkuar përgjigje nga ana e administratorit për këto pagesa dhe nga ana e tij është dhënë premtimi se ditën e sotme klubi do t’u kthejë një përgjigje të saktë se kur do t’I marrin lekët. Madje, Gjyrezi u ka thënë se përgjigja e klubit do të jetë me shkrim në mënyrë që të mos ketë keqkuptime të tjera për të qenë kësisoj e shkruar e bardha në të zezë, data se kur ata do të likujdohen.
-Presidenti I ri Agron Çela nis punën të hënën
Trajneri I ri ka filluar punë ndërsa presidenti I ri pritet ta bëjë këtë gjë ditën e hënë. Të paktën kështu flitet në klubin shkodran. Agron Çela është në bisedimet e fundit me drejtuesit e Bashkisë për të zyrtarizuar akt- marëveshjen e bashkëpunimit me ta dhe kjo gjë pritet të bëhet Brenda dy ditësh. Por vetë Çela ka patur si shqetësimin kryesor nisjen e punës së trajnerit të ri Bushati me skuadrën dhe tashmë kjo gjë është realizuar. Procedurat e tjera edhe presin por kjo nuk do të thotë se dyshja Çela- Bushati nuk do punojë edhe në merkato.